Problemet me e-Albania, Bashkia e Tiranës shtyn afatet për aplikimet për kredi të buta
Problemet teknike të portalit e-Albania kanë detyruar Bashkinë e Tiranës të shtyjë afatin e aplikimeve për kreditë e buta deri më 22 maj.
Bashkia e Tiranës ka vendosur të zgjasë afatin për aplikimet në programin e kredive të buta për vitin 2026, pas njoftimit se portali “e-Albania” do të jetë jashtë funksionit në datat 15-18 maj.
Vendimi u bë i ditur gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak nga kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, e cila sqaroi se afati i ri për aplikime do të jetë data 22 maj, në vend të datës 19 maj që ishte parashikuar fillimisht.
“Siç jeni në dijeni, Bashkia e Tiranës ka nisur procesin e aplikimit për kredi të buta për vitin 2026. Procesi ka nisur më 20 prill dhe është parashikuar të zgjasë deri më 19 maj. Aplikimet kryhen online përmes portalit ‘e-Albania’. Deri më sot që flasim, janë kryer 2600 aplikime. Por, sipas një njoftimi të portalit ‘e-Albania’ dhe sipas problematikave që ka pasur, të gjitha ditët që do të jenë të pamundura për funksionim, që janë njoftuar nga data 15-18 maj, do të zëvendësohen dhe afati i ri për momentin është data 22 maj”, deklaroi Ristani.
Bashkia: Asnjë qytetar nuk do të penalizohet
Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës theksoi se institucioni do të monitorojë situatën dhe nëse do të ketë nevojë për shtyrje të tjera, ato do të adresohen për të garantuar që qytetarët të mos penalizohen për shkak të problemeve teknike.
“Nëse do të ketë nevoja të tjera për shtyrje të afatit do të adresohen. Kjo është për të thënë që asnjë qytetar që do përpiqet të bëhet pjesë e këtij programi nuk do të pengohet nga këto probleme teknike dhe do të kompensohen me kohën e përshtatshme për çdo ditë që e-Albania nuk do të funksionojë”, u shpreh Ristani.
Programi i kredive të buta është një nga skemat sociale të Bashkisë së Tiranës për mbështetjen e familjeve dhe individëve në blerjen e banesave, ndërsa aplikimet realizohen tërësisht online përmes portalit qeveritar.